360deg

Kthehu te lista

Albaqeramika mbështet Kampionatin Evropian të Shahut

Kosova gjithnjë e më tepër po afirmohet në arenën ndërkombëtare të sportit. Pas pranimit në UEFA para pak ditësh dhe suksesit tanimë botëror të kampiones Majlinda Kelmendi, këto ditë në Kosovë do të mbahet Kampionati Evropian i Shahut.

Kampionati fillon të enjten në qytetin e Gjakovës dhe do të vazhdojë për dy javë rresht.

Njëri ndër mbështetësit e këtij kampionati është edhe kompania Albaqeramika, në lokalet e së cilës të hënën u nënshkrua marrëveshja e sponsorizimit me Federatën e Shahut të Kosovës.

“Ne e kemi parë mbështetjen ndaj sportit si një mënyrë e shkëlqyeshme e afirmimit të Kosovës në botë. Kemi mbështetur kampionen e botës Majlinda Kelmendi dhe ajo po na gëzon me medaljet e saj. Kemi mbështetur gjithashtu klubet e basketbollit dhe para pak ditësh festuam fitoren e KB Prishtinës në garën e Ligës Ballkanike. Tani po e përkrahim edhe kampionatin evpropian të shahut”, tha Valdet Deçani, partner menaxhues në Albaqeramika.

Deçani tha se kjo është një ngjarje historike sepse Kosova për herë të parë bëhet nikoqire e një evenimenti të tillë.

Në këtë kampionat do të marrin pjesë mbi 200 shahistë nga rreth 40 vende të ndryshme, në këtë garë që njihet zyrtarist nga Federata Ndërkombëtare e Shahut (FIDE).

Përkrahjen e Albaqeramikës dhe sponsorëve të tjerë e vlerësoi edhe Kryetari i Federatës së Shahut të Kosovës.

“Kosova nuk ka ndonjë përvojë të madhe në organizimin e ngjarjeve të tilla të mëdha, por falë përkrahjes nga shumë dashamirë të sportit, siç është Albaqeramika dhe shumë të tjerë, besoj që do të kemi një kampionat që do ta vendos Kosovën në hartën e vendeve që dinë dhe munden të mirëpresin kampionë nga mbarë bota”, tha Avdiu.

Edhe ky përkrahu mendimin e partnerit menaxhues të Albaqeramikës që mënyra më e mirë e depërtimit në arenën ndërkombëtare është sporti.

“Këtë herë ne do të sjellim shahistë me renome nga mbarë bota për të parë edhe ata se Kosova është një vend që meriton të jetë pjesë e familjes së sportit në botë”, tha Kryetari i Federatës së Shahut të Kosovës.

Kampionati Evropian Individual i Shahut do të mbahet për dy javë duke filluar me 11 maj në qytetin e Gjakovës dhe do të luhet në 11 raunde të sistemit zviceran dhe në përputhje me rregullat e FIDE-s nën organizimin e Federatës Kosovare të Shahut. #ALBAQERAMIKA

PARTNERËT TANË

REALIZIMI I INSPIRIMEVE NË SHTEPITË E JUAJA BËHET I MUNDSHËM NË BASHKEPUNIM ME PRODHUESIT MË INOVATIV NË BOTË